BE kërkon nga liderët politikë në Kosovë e Serbi që menjëherë t’i japin fund retorikës nxitëse dhe të veprojnë me përgjegjësi. Kurti e Vuçiq takohen më 18 gusht në Bruksel për të diskutuar “të gjitha çështjet e hapura”.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për deklaratat që kanë qarkulluar në Kosovë e Serbi, ku përmenden lufta dhe konflikti. BE ka bërë të qartë, se “do t’i cilësojë përgjegjës liderët politikë për çfarëdo përshkallëzimi të situatës në rajon”. Tre ditë para takimit të nivelit të lartë Kosovë-Serbi që zhvillohet në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Bashkimi Evropian kërkon nga palët përmbajtje nga retorika nxitëse. Kurti e Vuçiq takohen më 18 gusht në Bruksel të ftuar nga kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrell për të diskutuar “të gjitha çështjet e hapura mes dy vendeve”, siç thuhet në një komunikatë të BE-së. “Rritja e retorikës nxitëse kohëve të fundit nga ana e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë, në veçanti deklaratat rreth luftës dhe konfliktit në Ballkanin Perëndimor paraqesin shqetësim të madh. Politikanët e lartë nga të dyja palët do të cilësohen përgjegjës për çfarëdo përshkallëzimi që mund të çojë deri tek ndonjë rritje e tensioneve dhe potencialisht në dhunë në rajon”, thuhet në një deklaratë për mediat të zëdhënësit të BE, Peter Stano. BE kërkon të dyja palët duhet “menjëherë t’i japin fund armiqësive mes tyre dhe deklaratave nxitëse, si dhe të veprojnë me përgBorrell: Zgjidhja e raporteve Kosovë-Serbi vetëm me dialogjegjësi”.
Kurti: Pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa ditë më parë tha se “më datën 31 korrik, kur serbët lokal vendosën barrikada në rrugë “pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur në veri të Kosovës. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nga ana tjetër tha se ai “ka informacione për plane se në veri të Kosovës po përgatitet “likuidimi i popullit tonë”, duke iu referuar serbëve që jetojnë në Kosovë. Këto deklarime dhe zhvillimet që ndodhën në veri të Kosovës me 31 korrik, nxitën Bashkimin Evropian të reagojë duke thënë se BE-ja pret që dy liderët të diskutojnë të gjitha temat sfiduese në takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, të ftuar nga Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell. “Bashkimi Evropian rikujton se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese për normalizimin e plotë të raporteve kërkon një klimë, e cila do t’i kontribuonte kthimit të besimit, pajtimit dhe raporteve të mira, ku marrëveshjet e së kaluarës respektohen dhe implementohen në tërësi, dhe ku veprimet e deklaratat të cilat nuk janë në përputhje me interesat e përgjithshme dhe qëllimet strategjike të rajonit nuk kanë vend”, thuhet në deklaratën e BE-së. Qeveria e Kosovës vendosi që vendimin e reciprocitetit ta shtyjë për një muaj deri më 1. shtator
Stoltenberg në takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiq
Një ditë para takimit Kurti-Vuçiq në Bruksel, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg më 17 gusht do të takojë ndarasi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Më pas do të ketë konferenca për media. Pas zhvillimeve të 31 korrikut në veri të Kosovës, Stoltenberg tha se “NATO-ja me misionin e saj në Kosovë, KFOR, është e përgatitur të ndërhyjë nëse do të rrezikohej stabiliteti në vend”. “Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zgjidhin mospajtimet përmes demokracisë. Misioni i NATO-s, KFOR, bazuar në mandatin e Kombeve të Bashkuara, qëndron i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti”, shkroi në Twitter Stoltenberg, pas një bisede telefonike që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe ku tha se ka biseduar lidhur me “tensionet e fundit në veriun e Kosovës”. Më 31 korrik serbët lokalë vendosën barrikada në veri të Kosovës duke kundërshtuar kështu një vendim të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë në dokumente udhëtimi dhe targa të makinave. Pas ndërhyrjes ndërkombëtare, qeveria e Kosovës vendosi që vendimin e reciprocitetit ta shtyjë për një muaj deri më 1 shtator, ndërkohë që serbët lokal hoqën barrikadat nga rrugët. DW
——————————————
Kur do të krijohet qeveria e re e Serbisë?
Pse po vonohet formimi i qeverisë së re serbe, kush do të jetë në të përveç SNS-së së Vuçiqit dhe përfaqësuesve të pakicave dhe çfarë politike do të ndjekë qeveria e re? Pyetje ka shumë, përgjigjet i di vetëm Vuçiqi.
Zvarritje, oferta për emrat e kandidatëve të mundshëm, konflikte reale apo të rreme mediatike brenda koalicionit të ardhshëm dhe përpjekje të ngathëta të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’u paraqitur si dikush që nuk vendos për përbërjen e qeverinë së ardhshme… Formimi i qeverisë së re serbe po bëhet sipas një recete të parë edhe pas zgjedhjeve të mëparshme.
Afati zyrtar prej 90 ditësh për krijimin e qeverisë ka filluar më 1 gusht dhe, duke gjykuar nga përvojat e kaluara, është e mundur që vendimi do të pritet deri në fund të këtij afat. Në këtë përshtypje kontribuojnë edhe deklaratat e Vuçiqit, i cili fillimisht ka paralajmëruar formimin e qeverisë nga mesi i gushtit, por në deklaratat e fundit ai ka thënë se qeveria mund të formohet edhe më vonë.
Interesat e shumë palëve
Është e qartë, natyrisht, se gjithçka vendoset nga Aleksandar Vuçiqi, ndërsa Partia Përparimtare Serbe (SNS) po krenohet madje me këtë fat, komenton gazetari Nedim Sejdinoviq, në një deklaratë për DW. “Procesi është i komplikuar, sepse Vuçiqi përpiqet të kënaqë interesa të ndryshme – nga faktori ndërkombëtar e deri tek grupet e brendshme të interesit. Kjo e ngadalëson procesin, sepse këtu vendos vetëm një person, por edhe për shkak të situatës komplekse ndërkombëtare dhe të brendshme.” Nuk është plotësisht e sigurt se i gjithë procesi do të përfundojë deri në fund të gushtit, shton Sejdinoviq, sepse taktika e SNS-së është pikërisht blerja e kohës. “Unë mendoj se shpejtësia e formimit të qeverisë mund të ndikohet vetëm nga ndonjë presion serioz i jashtëm, por të paktën tani për tani duket se Vuçiq nuk po reagon ndaj atij presioni. Ndaj deri në fund të afatit mund të shohim ndonjë reality show, edhe pse të gjitha vendimet do të merren në kabinetin e Presidentit të Serbisë”.
Më shpejt sesa pritet?
Mendoj se SNS nuk ka arsye për të zgjatur procesin, thotë drejtori ekzekutiv i Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), Bojan Klaçar. “Unë nuk mund të gjej më asnjë arsye madhore pse SNS do të vononte qëllimisht formimin e qeverisë, sikur në rastin e sanksioneve kundër Rusisë.” Tani është e qartë se lufta në Ukrainë për fat të keq nuk do të përfundojë së shpejti. Kështu që më duket se shtyrja nuk ka shumë kuptim për momentin”. SNS pritet të vazhdojë bashkëpunimin e saj në koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), ndonëse ky bashkëpunim është karakterizuar prej kohësh me intolerancë reciproke. SPS, si një partner i vogël koalicioni, përgjithësisht u soll me përmbajtje, gjë që nuk mund të thuhej për zyrtarët e SNS-së që deklaruan hapur se socialistët nuk kishin vend në koalicionin e ri. Nedim Sejdinoviq beson se aktualisht nuk ka alternativë ndaj koalicionit SNS-SPS. “SNS mund të bëjë koalicion me partitë e pakicave vetë, por ato nuk janë mësuar të qeverisin me një shumicë të vogël.” Bashkëpunimi i atyre partive është shumë i mirë dhe, sipas Bojan Klaçar, posaçërisht bashkëpunimi i dy liderëve, Aleksandar Vuçiq dhe Ivica Daçiq është i mirë. “Politikisht, ky bashkëpunim është i qëndrueshëm, në dobi të dyanshme. Ndaj do të ishte befasi nëse diçka ndryshon në këtë kuptim.”
Ndryshimet e mundshme
Kur është fjala për postin e kryeministres, tani për tani favoritja kryesore është kryeministrja aktuale Ana Brnabiq. Emri i Marko Gjuriqit, ambasadorit aktual të Serbisë në SHBA, duket si zgjidhje e mundshme. Si shpjegim, ofrohet fakti që ai arriti të organizojë një takim të shkurtër me Joseph Biden dhe se ky mund të jetë sinjal për lidhje më të forta me Uashingtonin. Por bashkëbiseduesit tanë besojnë se Gjuriq ndodhet për një kohë të shkurtër në SHBA dhe se ndikimi i tij marrëdhëniet serbo-amerikane nuk është kushedi sa i madh. “Është e qartë se Ana Brnabiq u tregua bashkëpunuese. Ajo është e gatshme të përmbushë gjithçka që thotë shefi kryesor dhe në fund të fundit ka qenë politikania e parë që iu drejtua Aleksandar Vuçiqit si ‘bos’”, thekson Nedim Sejdinoviq. Bojan Klaçar tërheq vëmendjen se “Ana Brnabiq tashmë ka përvojë serioze politike dhe gëzon besimin e madh personal të Aleksandar Vuçiqit”. Nga ana tjetër, duket se eksperimentimi me disa emra të rinj në këtë moment do të ishte më pak i dobishëm për partinë në pushtet, duke pasur parasysh të gjitha sfidat, me të cilat do të përballet Serbia”. Një politikë “balancuese” mund të pritet edhe në qeverinë e re. Praktikisht, kjo do të nënkuptonte se Serbia do të kishte sërish në qeverinë e re politikanë “pro rusë”, “pro amerikanë”, “antievropianë” ose “proeuropianë”. “Një qeveri konfuze dhe një politikë konfuze është diçka që i përshtatet plotësisht Vuçiqit”, vlerëson Sejdinoviq dhe shton se “në këtë moment, kjo politikë e ngatërruar ka dhënë rezultat në të kaluarën, sepse ajo ka qenë pak pro-evropiane, pak pro-ruse apo pro-kineze, e ndonjëherë pro-arabe apo anti-evropiane”. Bojan Klaçar është optimist se qeveria e re do të merret shumë më tepër me politikën e jashtme dhe me integrimet evropiane dhe se “për rrjedhojë do të ketë një numër të madh ndryshimesh të ministrave në qeverinë e re”. “Është gjithashtu shumë e mundshme që të ketë edhe surpriza në qeveri”, mendon ai.