Daniel Speckhard, ish-zyrtar amerikan, aktualisht president i Corus International, një organizatë globale që ofron ndihmë për njerëzit e prekur nga krizat humanitare.
Pushtimi rus i Ukrainës ka ndërprerë zinxhirët globalë të ushqimit dhe po kontribuon në një krizë, e cila po përkeqësohet nga çmimet tashmë në rritje të ushqimeve dhe thellimi i varfërisë në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe disa pjesë të Afrikës.
Si Kievi, ashtu edhe Moska, janë eksportuesit kryesorë të produkteve bujqësore në këto dy rajone dhe efektet e luftës po i shqetësojnë qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Forumin Ekonomik Botëror që paralajmëron se krizat në ushqim, karburant dhe financa mund të nxisin trazira në vendet më të varfra dhe shtyjnë të tjerët të mos kryejnë obligimet e tyre financiare.
Një marrëveshje e korrikut e arritur nga Turqia në mes të Rusisë dhe Ukrainës, theu një bllokadë disamujore ruse të porteve të Detit të Zi të Ukrainës dhe dha njëfarë shprese për lehtësim. Megjithëkëtë zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thanë se dërgesat nuk po arrijnë tek ata që kanë më së shumti nevojë dhe se nuk kanë ndonjë mundësi të parandalojnë rritjen e krizës ndërkombëtare ushqimore.
Për të mësuar më shumë rreth pasojave që po rriten si pasojë e luftës, Radio Evropa e Lirë bisedoi me Daniel Speckhard, një ish-zyrtar amerikan, i cili aktualisht është president i Corus International, një organizatë globale që ofron ndihmë për njerëzit e prekur nga krizat humanitare. Speckhard ka shërbyer më parë si ambasador i SHBA-së në Bjellorusi dhe Greqi dhe ndër të tjera ishte zëvendësndihmës i sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për çështjet politike.
Radio Evropa e Lirë: Ju keni shpenzuar një pjesë të madhe të karrierës duke u marrë me Rusinë. Si e ka ndryshuar lufta në Ukrainë mënyrën se si politikëbërësit në Uashington po e shohin Moskën tani në krahasim me vitet e mëparshme? Gjashtë muajt e fundit kanë ndryshuar shumë supozime për fuqinë ruse. Në cilin drejtim po shkojnë gjërat në mënyrën se si Uashingtoni e sheh Kremlinin dhe politikën e tij të jashtme?
Daniel Speckhard: Për shkak të statusit bërthamor të Rusisë fuqia që ajo ende zotëron në botë është e rëndësishme. Ndërsa aftësitë e saj konvencionale të luftës janë treguar ndoshta më të dobëta nga sa mund të mendohej, unë mendoj se bazat janë ende të njëjta: Ju keni një fuqi bërthamore që dëshiron të luajë në skenën globale si e barabartë me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën dhe ata do të veprojnë sikur të jenë vërtet ashtu.
Kjo e bën atë [Rusinë] më të rrezikshme. Pra, mendoj se shqetësimet në Uashington dhe në kryeqytetet [e tjera] perëndimore, madje edhe në Pekin, janë se kjo është në fakt një situatë më e rrezikshme, sepse gjërat mund të përshkallëzohen më shpejt. Gjithashtu, Rusia në asnjë mënyrë nuk e sheh dobësinë e saj në mënyrën se si e shohim ne.
Për mënyrën se si ka ndryshuar, unë mendoj se marrëdhëniet ishin duke u dobësuara që një kohë, veçanërisht pas ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e SHBA-së [në 2015 dhe 2016]. Por, situata në Ukrainë e ka bërë interesant në kontekstin që Shtetet e Bashkuara ishin shumë të ndara për ndërhyrjen ruse në zgjedhje, sepse kishte një mbivendosje politike [të brendshme] që ndante vendin.
Lufta në Ukrainë ka bërë që ato kryesisht të avullohen dhe me përjashtim të një grupi të vogël në Shtetet e Bashkuara, ka mbështetje të madhe për [Kievin].
Ndjenja anti-ruse në Uashington është rritur gjithashtu në disa mënyra dhe kjo gjithashtu është përfshirë në atë që është e disponueshme në anën e politikës së jashtme për të ardhmen e parashikueshme. Si rezultat, pjesa për të cilën jam i shqetësuar është se ka shumë çështje globale që duhen adresuar dhe që kërkojnë mbështetjen dhe përfshirjen ruse, qoftë mjedisi, terrorizmi, krimi i organizuar apo siguria kibernetike.
Të gjitha këto çështje kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar dhe pasojat nga lufta mund të përkeqësojnë shumë nga ato çështje dhe ta bëjnë të vështirë arritjen e nevojshme të konsensusit të gjerë global.
Radio Evropa e Lirë: Si Ukraina, ashtu edhe Rusia, furnizojnë botën me shumë grurë, veçanërisht vendet që janë në skaj të limiteve të tyre sa i takon sigurisë ushqimore. Tashmë kemi parë që mungesat e drithit kanë një ndikim botëror, por cilat janë disa nga efektet e dëmshme më të gjera që po shkakton kjo luftë?
Daniel Speckhard: Fillon me krizën humanitare që po shfaqet aktualisht. Sipas Kombeve të Bashkuara, gati 48 milionë njerëz po përballen me nivele emergjente urie dhe kjo po çon në kequshqyerje akute, uri dhe madje edhe vdekje.
—————————————
Maqedonia e Veriut zotohet se do të vazhdojë ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës
Maqedonia e Veriut i ka dhuruar Ukrainës tanke dhe pajisje tjera ushtarake, prej kur kjo e fundit përballet me agresionin rus. Megjithatë, ende nuk janë konfirmuar burimet qeveritare që Maqedonia e Veriut i ka dërguar Ukrainës edhe katër aeroplanë, Su-25 dhe helikopterë luftarakë, Mi-24. Ministrja maqedonase e Mbrojtjes, Sllanjanka Petrovska, ka thënë të hënën se Qeveria ka miratuar tri vendime për ndihmë ushtarake ndaj Ukrainës, porse vendimet janë të klasifikuara, andaj edhe nuk mund të publikohen. Ajo është deklaruar vetëm për tanket, të cilat janë parë duke u transportuar në Ukrainë.
Automjete ushtarake ruse të shkatërruara shihen në një fermë në rajonin e Harkivit, në Ukrainë, e cila u përdor si bazë ushtarake gjatë pushtimit rus. Autoritetet maqedonase i kanë blerë këto tanke pikërisht në Ukrainë më 2001, gjatë konfliktit të armatosur me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).
Me kalimin e kohës disa prej këtyre pajisjeve nuk janë përdorur për shkak të nevojës për servisim.
“Deri tani kemi miratuar tri vendime për donacione ushtarake dhe për momentin këto vendime janë të klasifikuara për shkaqe sigurie. Ajo që dukej ishte transporti i tankeve. Tani nuk do të bëjmë të ditur se për çfarë sasie apo për sa tanke bëhet fjalë, por është e qartë se pjesë e donacioneve janë edhe tanket. Ato tashmë nuk janë pjesë e ushtrisë sonë, nuk janë të nevojshme. Dhe më duhet të them se të gjitha vendimet janë marrë në konsultim me shtabin e përgjithshëm të ushtrisë, pasi ai është përgjegjës për sigurinë e shtetit. Me këtë i hedhim poshtë të gjitha spekulimet se me këto donacione kemi dobësuar gatishmërinë luftarake të ushtrisë tonë”, ka deklaruar ministrja Petrovska.
Zyrtarët ukrainas, në disa raste, kanë falënderuar Maqedoninë e Veriut për donacionet.
Mykhailo Podolyak, këshilltari i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një postim në rrjetet sociale në gjuhën ukrainase, kishte falënderuar vendimin e Shkupit për tanket dhe fluturaket e dhuruara, pa specifikuar nëse ishin avionë apo helikopterë.
Vendimi i Qeverisë maqedonase është kritikuar nga Moska si “gabim i madh” në mbështetje të “aktiviteteve kriminale të regjimit në Kiev”.
Por, ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska ka thënë se bëhet fjalë për “vendime të pavarura të një shteti sovran, në ndihmë të një shteti tjetër sovran të pushtuar”.
“Janë vendime të një shteti sovran dhe të pavarur. Pa marrë parasysh se jemi anëtare e NATO-s, dhe pjesë e sistemit kolektiv të mbrojtjes, Qeveria ka vlerësuar se kur sulmohet një shtet tjetër i pavarur, sovran dhe demokratik, siç është rasti me Ukrainën, duhet t’i ndihmohet duke u nisur nga parimet e pavarësisë. Të motivuar nga këto parime, morëm edhe vendimin për të ndihmuar këtë vend me pajisje ushtarake. Ukraina është shteti që ishte sulmuar dhe që po mbrohet nga agresioni”, ka deklaruar Petrovska.
Që në ditët e para të agresionit rus, Maqedonia e Veriut i ka dhënë mbështetje Qeverisë në Kiev, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa ka mbështetur të gjitha vendimet për sanksione ndaj Rusisë.
Ndërkohë, Rusia e ka vendosur Maqedoninë e Veriut në “grupin e shteteve jomiqësore”. Zyrtarët maqedonas në disa raste kanë akuzuar Moskën për ndërhyrje në punët e brendshme dhe për veprimtari spiunazhi, andaj në dy vjetët e fundit ka dëbuar 11 diplomatë rusë. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.m Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. REL