Ilir Meta deklaroi se kryeministri Edi Rama do të përgjigjet para ligjit për firmat që ka hedhur. Kreu i Partisë së Lirisë lexoi Kodin Penal, duke treguar se sa vite burg, sipas tij, rrezikon kreu i qeverisë për ujësjellësin e Memaliajt, punimet për të cilin janë inauguruar 3 muaj para se të lidhej kontrata.
“Është shumë e qartë se nuk kemi të bëjmë me një rast të veçantë. Do të pasqyrojmë raste të tjera dhe më flagrante në të ardhmen. Pra, në shtetin e këtyre banditëve që nuk ka asnjë lidhje me Kushtetutën tonë, me detyrimet e stabilizim-asociimit, gjithçka bëhet fakt i kryer, të gjitha pazaret bëhen më përpara. Demonstrohen dhe në publik si në rastin konkret, ku kryeministri dhe ministri dalin së bashku me kompaninë për qëllime elektorale dhe jo vetëm, ndërkohë që ky objekt është zyrtarisht ende në tenderim. Fituesi është shpallur me kohë, pazaret janë bërë me kohë, tenderi është formal. Edhe kontrata lidhet pas 3 muajsh”, tha Meta.
“Përgjigjet e Ramës do të jenë para ligjit, me firmat e tij dhe ligjet e tij dhe ne nuk do të falsifikojmë asgjë, përkundrazi. Neni i Kodit Penal e bën të qartë se kryerja apo moskryerja me dashje e veprimeve apo mosveprimeve, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, minimumi dënohet me burgim deri në 7 vjet. Neni 258, shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike dënohet me burgim nga 1-5 vjet. U bënë 12 vite burg për një rast”, shtoi Meta.
Kreu i partisë së Lirisë në një konferencë për mediat tha se drejtësia është e kapur nga kryeministri Edi Rama. Meta u bën thirrje qytetarëve që të bashkohen në nismat opozitare që t’i kthejnë vendit rendin kushtetues. “Nuk është faji im që nuk besoj, i kemi dhënë shumë besim drejtësisë kur kemi parë që është kapur me fyt nga Rama. Zgjedhja e kryeprokuroret. Jemi përpjekur t’i japim kurajo që të dalë nga kthetrat e Tiranës, i kemi dhënë fakte, denoncime, prova konkrete, nuk është faji jonë nëse ajo vazhdon të qëndrojë në kthetrat e Ramës. Drejtësia është monopol i popullit të Shqipërisë. Shpresoj të mos Shkojmë në një kurs të përplaset populli me drejtësinë. Drejtësia do përplaset me këtë dhunues të ligjeve që shkel hapur ligjet shpërdoron detyrën, barazinë në tendera. Drejtësi ka patur dhe ka në çdo kohë. Drejtësia që do vijë do e lartësojë këtë vend. Kush dëshiron të bëhet pjesë e drejtësisë që vjen është i mirëpritur dhe i nxitur të bëjë punën e tij”, tha Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta u është përgjigjur gazetarëve nëse ka ndryshuar emrin apo jo, pasi kërkesës së SPAK ndaj gjendjes civile. Meta tha se nuk e ka ndryshuar asnjëherë mbiemrin, është dhe do të mbetet Ilir Rexhep Metaj.
“Të jeni shumë të qartë, kam qenë dhe jam do jem do jemi ilir Rexhep Metaj, i lindur më 24 mars në Çepan të Skraparit dhe skam asnjë arsye që jo vetëm të mos jem krenar për emrin dhe mbiemrin tim për gjithçka që kam bërë deri më sot. Përkundrazi fëmijët kanë arsye të jenë edhe me krenarë në të ardhmen, edhe për babin e tyre”, tha Meta.