Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Izrael, ku do të zhvillojë një takim me kryeministrin Yair Lapid. Rama ka ndarë foto teksa ka zbritur nga avioni dhe po takon përfaqësuesit e qeverisë izraelite.
“Për vizitën zyrtare në Izrael me ftesë të kryeministrit, Yair Lapid”, shkruan Rama.
Kjo vizitë e Ramës në Izrael vjen pas sulmeve kibernetike që qeveria e Iranit ndërmori ndaj Shqipërisë. Sulmi i parë kibernetik ndodhi në mes të muajit korrik të këtij viti, ku u sulmuan portalet shtetërore të shërbimeve online, të cilat nuk funksionuan për 4 ditë. Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptar, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin.
Më 10 shtator, hakerat iranianë sulmuan sistemin TIMS. Irani nuk e fshehu se kishte gisht në këtë sulm pasi në kompjuterët e policëve në pikat e kalimit kufitar shfaqej mesazhi: “Shqipëria ende po paguan për aktet terroriste të kultit MEK në Durrës dhe kjo lojë do të vazhdojë”. Pasi u konfirmua se sulmi ishte ndërmarrë nga qeveria iraniane, Shqipëria prishi marrëdhëniet diplomatike me Iranin.