Partia Demokratike në 32-vjetorin e themelimit të saj kujtohet në dy kampe të ndara. PD e drejtuar nga Berisha mblodh shumë mbështetës dhe krerë të partive të tjera opozitare. Berisha lëshon mesazhe të forta kundër Ramës dhe u kujton ndërkombëtarëve se do i shkojë deri në fund çështjes “non grata” të vendosura ndaj tij nga SHBA dhe Anglia. Nga ana tjetër edhe PD e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj hapi “shampanjën” e ditëlindjes së PD-së.
Në 32-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike janë organizuar dy aktivitete, ku kryesori dhe më i madhi drejtohej nga Berisha, ndërsa më herët Grupimi Basha, i përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, bëri “adetin” në një ceremoni të vogël. Pavarësisht numrave pas tre dekadash PD është në situatë të vështirë mes grupimeve dhe ndarjeve. Kreu “de facto” i PD-së Sali Berisha mblodhi mbështetësit e tij ku të pranishëm ishin edhe drejtuesit e partive të tjera opozitare. Ndryshe nga çdo përvjetor tjetër i themelimit të PD-së Berisha është shfaqur edhe në këtë eveniment me size të erëta, për të mbuluar hematomat që iu shkaktuan nga sulmi me grusht i 31-vjeçarit Gerti Shehu, në protestën e opozitës të mbajtur më 6 dhjetor. Gjatë fjalës së tij kreu i PD Sali Berisha u shpreh se PD ka qenë gardiane dhe avokate e pamposhtur e interesit kombëtar. “Në këtë jubile të 32 vjetorit të themelimit të saj, përulem me nderimin më të madh para veprës, guximit të tribunit të lirisë Azem Hajdari dhe studentëve që ne me një zë i thërrisnim, liberatorë, apo engjëj të demokracisë që me guximin e tyre bënë të mundur fundin e epokës së monizmit në Shqipëri. PD u themelua 32 vite më parë si parti e lirisë e njerëzve më të shtypur. U themelua si parti e vlerave demokratike dhe ekonomike së tregut. Gardiane dhe avokate e pamposhtur e interesit kombëtar dhe çështjen kombëtare. Kjo parti arriti rezultate të jashtëzakonshme dhe të dëshmohet lokomotivë e proceseve integruese europiane”-tha Berisha. Më tej ai u ndal në sulmet ndaj kundërshtarëve Brenda PD-së, duke iu referuar ish-kryedemokratit Lulzim Basha dhe mbështetësve të tij. “Në zgjedhjet e 25 prillit besimi i popullit shqiptar u tradhtua për interesa meskine që PD të shndërrohej në aleate e PS dhe Edi Ramës. Demokratët ndoshta qanin me ngashërim për rezultatin që morën, në krye të opozitës bëheshin plane për bashkëqeverisje me Ramën. Por, nuk u mjaftua me kaq, Antony Blinken sanksionon Sali Berishën, që nuk do të lejonte kurrë që PD të bëhej levë e PS dhe Edi Ramës. Ky akt e kam thënë që nuk ka pasur asnjë provë. Historia ime është krejt tjetër”, tha ai.
Ndalja tek “non grata”
Kreu i PD Sali Berisha në ceremoninë e 32 vjetorit të PD, u ndal edhe tek non-grata. Berisha ritheksoi se nuk kanë pasur as fakt, duke shtuar se edhe pse iu vendos një damkë nga kryediplomati Blinken, ai gjeti mbështetje mes demokratëve për të vazhduar betejën. “Pa 32 vitesh më duhe të përballem me diplomatin e botës, por midis nënës time dhe të vërtetës unë zgjedh të vërtetën. Kanë rrëmuar çdo ditë, por do të kuptojnë se kanë kryer aktin korruptiv më madhor në histori. Sot PD njësoj si ne që kemi lindur në diktaturë, kemi ditëlindjen biologjike, falë studentëve dhe lëvizjes së tyre ne fituam një lëvizje të re, ditëlindjen në liri. Për çudi edhe partia jonë ka dy ditëlindje, sot festojmë edhe vjetorin e vitit 2021 në të cilën dhjetëra mijëra anëtare të PD firmosën rithemelimin e kësaj force politike. Rrugëtimi im nuk kishte lidhje me interesin tim personal, por me faktin se midis nënës dhe të vërtetës unë do të zgjidhja të vërtetën. Kërkesa për përjashtimin e Sali Berishës nga parlamenti nuk lidhej më me Berishën. Mandati është i popullit dhe jo i individit. Askush nuk mund të trajtonte vendin tim si koloni për të diktuar se kush do të jetë dhe kush jo në parlament, aq më tepër kjo nga vendi që kishte bërë kaq shumë për lirinë e shqiptarëve. Ky ishte motivi t’ju drejtohem ju duke mos e ditur se sa do të mbështesnin. Lirinë e gjeta midis jush siç e thotë Skendërbeu, Sali Berisha shpirtin për sovranitetin e gjeta mes jush”, tha ai. Pavarësisht fjalimit të përzgjedhur të Berishës, që e nisi me historikun e themelimit të PD-së si partia politike që rrëzoi diktatorën komuniste dhe vijoi me situatën aktuale nga shpallja “non grata” dhe deri tek nisma e Foltores, Berisha e ka të qartë se për ta bërë PD-në parti alternativë dhe fituese përballë pushtetit të sotëm të PS-së do të duhet shumë punë. Megjithatë në 32 vite kjo forcë politike ka parë vetëm një personazh në podium dhe ai është vetë Sali Berisha që edhe kur nuk ishte në drejtimin e PD-së de jure,ai ishte aty për të tërhequr çdo fije. Gjithashtu Berisha lëshoi akuza të forta drejt kryeministrit Edi Rama, duke e paralajmëruar se vetë ai dhe PD do të jetë me parimin: “jetën e japim dhe votën nuk e falim”.
32-vjetori i PD-së/ Alibeaj: Do mbetemi parti e vlerave anti-komuniste, nuk bëjmë negociata për to
Me një grup të vogël mbështetësish, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së mbajti një ceremony të shkurtër në ambientet e një hoteli në ditëlindjen e 32 të PD-së. I vetmi që mbajti një fjalim ishte vetë Alibeaj, i cili e përmendi çështjen e numrave (mbështetësve), të cilët nuk I ka, por theksoi se para parimeve dhe të vërtetës asnjë numër muk i mposht vlerat. Ai shtoi më tej se “çdo përpjekje për të vendosur interesa personale që deformojnë identitetin e PD-së duke e kthyer atë nga një institucion i perëndimit për ta kthyer në një repart sulmesh kundër Perëndimit është një moment që duhet ta kthejnë”. “32 vite më pas në një atmosferë gëzimi ca momente reflektimi secili nga ne duhet ti bëjë. Më takon mua që në emër të PD, në emër të qendrëstarëve, njerëzve që kanë qëndruar dhe i janë bashkuar kauzës së PD-së. Kam arritur në një kohë kaq të shkurtër të vështirë të këtyre muajve të vitit të fundit më ka çuar tek gjeneza, tek misioni i PD-së atëherë kur lindi. Në fakt 3 kanë qenë misionet kryesore, të cilat mbaj mend dhe jemi ushqyer. I pari PD lindi dhe u krijua si nevojë për një formacion politik që të kthehej drejt Perëndimit. Edhe sot ky është një nga misionet kryesore. Shpallja e pluralizmit, zgjedhje të lira kthimi nga vlerat e perëndimit dhe të demokracisë, janë vlera që askush nuk mund dhe nuk duhet lejuar që të bëjë negociata. Është kjo një vlerë që e kanë fort në zemër. Kjo ka qenë një nga vlerat, një nga komponentët që e bën një qytetar të Shqipërisë demokrat. Do mbetemi partia e vlerave anti-komuniste. Jemi njerëz të lirë e ti themi gjërat siç janë, Çdo tradhti çdo largim nga këto vlera është një tradhti ndaj demokratëve dhe PD-së, këtë duhet ta themi fort. Çdo përpjekje për të vendosur interesa personale që deformojnë identitetin e PD-së duke e kthyer atë nga një institucion i perëndimit për ta kthyer në një repart sulmesh kundër Perëndimit është një moment që duhet ta kthejmë. Duhet të bëjmë sakrificën sublime secili prej nesh. Askush nuk duhet të ndihet i joshur për të bërë negociata me këto vlera. Mendësia komuniste duhet të ishte larguar”, tha Alibeaj.