Këtë fundjavë, të krishterët ortodoksë festojnë Pashkën. Pjesë e traditës është qengji i pjekur të dielën e Pashkës.
Në tregun kryesor të Athinës, konsumatorët mundohen të gjejnë ofertat e duhura, pasi çmimet e larta kanë prekur të ardhurat e grekëve.
“Në 10 ditët e fundit, qytetarët kanë blerë kryesisht mish qengji dhe dhie. Një kile mish kushton nga 9 deri në 10 euro. Inflacioni është rritur, por ne po përpiqemi t’i mbajmë çmimet të ulëta”, thotë Andreas Niotis, kasap në Athinë.
Shumica e konsumatorëve mendojnë se çmimet janë të arsyeshme. Problemi është se shumë njerëz kanë pak para për të shpenzuar.
“Çmimet janë shumë të mira. Gjeta mish dhie dhe qengji për 8 euro. Vitin e kaluar çmimet ishin më të shtrenjta, ndaj mendoj se tani janë mirë”, shprehet një qytetar.
“Çmimet janë pak a shumë të njëjta me vitin e kaluar. por qytetarët nuk kanë para. Ky është problemi. Njerëzit s’paguajnë dot faturat”, thotë një tjetër.
Në Greqi, krahas mishit, njerëzit blejnë edhe qirinj Pashke, vezë-çokollatë, si dhe dhurata për fëmijët. Pronarët e dyqaneve presin përfitime të mëdha.
Filina studion për Gazetari. Ajo është kumbare e një djali të vogël. 24-vjeçarja dëshiron t’i blejë një dhuratë, por druhet se financat nuk do ta lejojnë të blejë atë që do.
“Erdha të blej një qiri Pashke për famullin tim. Mund të gjej diçka të arsyeshme, por nuk është ajo çka duan fëmijët. Është e vështirë të plotësosh dëshirat e fëmijëve dhe të mos kesh para për të paguar”, shprehet ajo.
Konsumatorët vizitojnë tregjet e hapura dhe dyqanet, krahasojnë çmimet dhe kërkojnë ofertat më të mira. Shumë presin deri në minutën e fundit, me shpresë për të gjetur çmime më të mira./Euronews Albania