Kreu i PD Lulzim Basha ndonëse nuk ka reaguar në mënyrë të drejtpërdrejtë ka përcjellë një mesazh të fortë pas arrestimit të Jamarbër Malltezit dhe caktimit të masës së sigurisë detyrim paraqitje për Sali Berishën në lidhje me aferën e privaztizimit të ish kompleksit Partizani.
Përmes reagimit të tij Basha lë të kuptohet se mbështet hetimin e Prokurorisë ndërsa kërkon që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë.
“Prandaj sot është jetike t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Të korruptuarit duhet të japin llogari para drejtësisë e paratë që u kanë marrë shqiptarëve t’u kthehen mbrapsht. Paratë që sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve të kthehen në të mira për qytetarët”, shkruan Basha në një postim në Facebook, pas një takimi me qytetarë në Dibër.
Statusi i plotë i kreut të PD-së:
Sot isha në Dibër ku pash nga afër shqetësimet e tregtarëve për rritjen e çmimeve dhe rënien e fuqisë blerëse të qytetarë që, me buxhetin e vogël në dispozicion, nuk arrijnë të plotësojnë të gjitha nevojat e tyre.
Ky është realiteti prej vitesh – thonë tregtarët. Kjo ka ndikuar në largimin masiv të rinisë duke pamundësuar edhe shfrytëzimin e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë në këtë zonë.
Ata përballen me vështirësi të shumta, që nga mungesa e mbështetjes për shtresat e varfëra, për sektorin e bujqësisë e blegtorisë, mungesa e tregut dhe vendeve të punës, çka ka sjellë dhe rënie të fuqisë blerëse.
Qytetarë të varfër, korrupsion i lartë. Ky është realitetit sot në Shqipëri që po detyron shqiptarët të largohen nga vendi.
Prandaj sot është jetike t’i jepet fund pandëshkueshmërisë. Të korruptuarit duhet të japin llogari para drejtësisë e paratë që u kanë marrë shqiptarëve t’u kthehen mbrapsht.
Paratë që sot shkojnë në xhepat e pushtetarëve të kthehen në të mira për qytetarët./kb