Teuta ishte autore e një përmbysje të jashtëzakonshme në Elbasan Arena ndaj Dinamo City duke fituar me shifrat 2-3. Durrsakët e panë veten në disavantazhin e dyfishtë, mirëpo përmbysën gjithçka në minutat e fundit të takimit.
Sa i takon sfidës, “Blutë” ishin në epërsi të dy golave teksa ai që zhbllokoi rezultatin ishte Kaçorri. Sulmuesi përfitoi nga një goditje e Zabërgja që u ndal në shtyll dhe me topin e kthyer nuk e pati të vështirë të realizonte. Në fraksionin e dytë, të besuarit e trajnerit Luigi Di Biaggio shënuan edhe golin e dytë me anë të Denisson dhe u duk se tre pikët ishin në kasafortë. Por, “Djemtë e Detit” nuk e kishin thënë fjalën e fundit dhe reaguan mirë.
Në të 72-tën ishte Peposhi që shënoi të parin, gol i cili u konfirmua nga VAR pasi fillimisht u konsiderua si i parregullt për pozicion jashtë loje. 12 minuta më vonë, Teuta barazoi me anë të Realdo Filit që u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit duke mposhtur portierin Bekim Rexhepi.
Në fund, Teuta shënoi edhe golin e tretë me anë të mbrojtësit Jazxhi duke bërë që të shpërthente festa në Elbasan Arena. Pas kësaj ndeshje, Teuta ngjitet në kuotën e 11 pikëve në vend të tetë ndërsa Dinamo City mbetet në vendin e fundit me shtatë pikë.