Kryesia e Kuvendit
Spiropali mbledh Këshillin më 27 gusht, Bardhi e quan urdhër antikushtetues
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka njoftuar se më 27 Gusht do të mblidhet jashtë sesionit parlamentar Këshilli i Legjislacionit lidhur me vendimin e datës 10 Korrik 2024 të Kushtetueses për mandatin e deputetes së Olta Xhaçkës. Bardhi ka akuzuar Spiropalin pasi sipas tij, kjo e fundit ka miratuar një urdhër antikushtetues. Sipas Bardhit, Këshilli duhet të mblidhet brenda 3 ditëve
Kërkesa e Partisë Demokratike për të thirrur sesionin e jashtëzakonshëm të Kuvendit ka detyruar kryetaren e re të Parlamentit që me urgjencë të këkrojë mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Spiropali ka reaguar menjëherë pas kërkesës së opozitës duke lënë të kuptohet se Xhaçka po braktiset nga të vetët. Por megjitahtë demokartët e shikojnë shkresën e Spiropalit si shkelje të rregullave, pasi ky sesion i jashtëzakonshëm duhet të ishte thirur brenda tre ditëve pasi është bërë kërkesa. Sipas shkresës së Spiropalit, mbledhja do të zhvillohet më datë 27 Gusht 2024 në orën 11.00 dhe në rend dite është “Shqyrtimi i vendimit nr.55 datë 10.07.2024 të Gjykatës Kushtetuese”. Kjo gjykatë, e vetme që gjykon kushtetutshmërinë e ligjeve dhe vendimeve në Republikën e Shqipërisë, i ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur Kuvendit gjatë kohës që drejtohej nga Lindita Nikolla, që të dërgonte mocionin e opozitës për mandatin e Olta Xhaçkës. Vendimi nr.55 i Gjykatës Kushtetuese i datës 10 Korrik 2024, shfuqizoi vendimin e parlamentit i cili refuzonte dërgimin në këtë gjykatë të mocionit të opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Në muajin prill, socialistët e interpretuan votën e tyre me faktin se pavarësisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, deputetët, sipas kushtetutës janë të lirë në vendimmarrjen e tyre. Pikërisht për këtë çështje, parlamenti kërkoi pak ditë më parë nga Gjykata Kushtetuese, që t’i drejtohej Komisionit të Venecias, por kërkesa u rrëzua. Siç shpjegoi kryetarja Holta Zaçaj, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se “deputetët duhet të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”. Pritet me interes se çfarë vendimi do të merret në mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit që ka thirrur kryetarja e re e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali. Megjithatë, edhe këtij rasti kryetarja e Gjykatës Kushtetuese i ka paraprirë me sqarimin se “Askush nuk mund të vendosë të mos ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Fuqia e vendimeve të saj është e barabartë me fuqinë e ligjit. Të mos zbatosh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, do të thotë të mos zbatosh kushtetutën dhe ligjin”.
Reagimi i Bardhit
Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të PD, ka reaguar pas njoftimit se më datë 27 gusht ora 11:00 do të mblidhet Këshilli i Legjislacionit ku do të shqyrtohet kërkesa e PD-së për vendimin e Kushtetueses lidhur me mandatin e Olta Xhaçkës. Bardhi në reagimin e tij e konsideron urdhërin e Kryetares së Kuvendit për mos thirrjen e sesionit të jashtëzakonshëm të Kuvendit si anti-Kushtetuese. “Kryetarja e Kuvendit ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të thërrasë sesionin e jashtëzakonshëm të Kuvendit brenda 3 ditëve nga paraqitja e kërkesës së 1/5 së deputetëve, për të zbatuar pa vonesa vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Bardhi në reagimin e tij.
Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Kuvendit për mandatin e Olta Xhaçkës
Çështja e mandatit të ish-ministres Olta Xhaçka vijon prej gati dy vitesh të endet mes Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese. Pikëpyetjet mbi rastin e zonjës Xhaçka, lindën pasi kompania e bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, mori statusin e investitorit strategjik për një hotel turistik, gjë e cila sipas opozitës përbën konflikt interesi. Çështja mori sërish vëmendje pasi pak muaj më parë Gjykata e Posaçme vuri nën sekuestro mbi 10 mijë metra katrorë sipërfaqe mbi të cilën parashikohet të ngrihet hoteli. Trualli i blerë nga zoti Gaçi, prej personave privatë, rezulton të jetë përfituar prej këtyre të fundit, përmes falsifikimit të dokumenteve dhe se sipërfaqja ka qenë në pronësi të shtetit. Më herët, pikërisht për dyshimet mbi pronësinë e kësaj sipërfaqeje ishte arrestuar dhe ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro.