Milani i Paulo Fonsecas e ka nisur me vështirësi këtë edicion në Serinë A, pasi është ndalur në një barazim 2-2 në shtëpi përballë Torinos. Një barazim që erdhi në minutat shtesë pas një “ringjallje” në fundin e takimit, kur në fushën e lojës hyri Alvaro Morata, debutues me gol te kuqezinjtë.
Kuqezinjtë ishin më kërkues në këtë sfidë, duke krijuar dhe shpërdoruar raste të shumta para portës së Torinos, por miqtë u treguan cinikë, kur gjetën avantazhin falë autogolit të Thiaw në pjesën e parë.
Milani insistoi dhe kërkoi me çdo kusht golin, teksa Fonseca hodhi në fushë edhe Moratan, të lënë fillimisht në stol. Me spanjollin në majën e sulmit, kuqezinjtë ishin më ngulmues, por u goditën përsëri nga Zapata i cili dyfishoi shifrat.
Gjithsesi, ishte Morata ai që rihapi ndeshjen me një devijim të saktë në minutën e 89-të, duke bërë që Milani të hidhej i tëri në sulm. Nga ofensiva kuqezi erdhi edhe barazimi i Okafor, i cili të paktën i dha një pikë skuadrës së tij në ndeshjen e parë të kampionatit.