Nga Sefer Pasha
Një rrap madhështor në hyrje të fshatit Drizar e që e ka kaluar moshën e një mijë vjetëve është jo vetëm një monument kulture, por në këto kohë të reja është kthyer gjithashtu në një pikë turistike dhe për faktin se nën hijen e rrapit biznesmeni Avdi Salaj ka ngritur një lokal funksional, ku gatuhet mishi i kecit dhe lakrorët karakteristk me lakra të egra fshati. Jam ulur nën hijen e rrapit me një turist nga Çikagua që quhet Stivi Ujëbordi dhe i tregoi atij shumë histori e që e kanë pasur rrapin si “kuvend”. Aty kanë kuvenduar Rrapo Hekali, Bilbil Klosi, Idriz Danua, Baba Dede Reshat Bardhi, Osman Haxhiu, Mehmet Shehu, Qazim Koculi, Selam Musai dhe Heroi i Popullit Xheladin Beqiri nga Kosova. Por jo të gjitha ato që i tregoj ngjizin. Gjithsesi Stivit i lë mbresë personazhi i i Nelo Drizarit e që ka lindur jo shumë larg nga Rrapi i Vodicës, ku jemi ulur e po diskutojmë. Megjithëse shumë fshatra tani po i gllabëron bota për fat fshati Drizar qëndron në “istikamin” e qëmotit. Turistët që vijnë nga e gjithë bota shfaqin interes dhe për figura të artit dhe të filozofisë siç është dhe kjo e Nelo Drizarit për të cilin miku im nga Çikagua kërkon që të shkoj në trojet e këtij emri të njohur. Stivi Ujëbordi do të fotografoj e të filmoj në mëhallën e Hysenajve ku ka lindur leksikologu me famë botërore. Udhëtojmë në këmbë për në mëhallën e Hysenajve që nuk është larg dhe mbrrijmë aty ku erdhi në botë në vitin 1902 Nelo[Zenel] Drizari. Miku nga Çikagua filmon muret e vjetra të shtëpisë ku tani banon tani stërnipi Shaban Sulaj. Gjithashtu Stivi filmon me detaje udhët ku lëvizi deri në moshën 10 vjeçare Nelo Drizari, yrtet, bajamet, pjergullat me rrush, çezmën poshtë Mëhallës së Mesme e që tani gurgullon prej ujit të ftohtë të Poçemit.
Bisedojmë dhe me drizarasit të cilët banojnë në fshat. Të gjithë e kanë idhull dhe krenohen me birin e tyre Nelo Drizarin. Jeta e këtij njeriu me vlera të jashtëzakonëshme njihet nga të gjithë. Nelo Drizari ndoqi në Amerikë shkolla të ndryshme si dhe mbaroi universitetin Kulumbia, ku u diplomua në fushën e Gazetarisë. Ai njihet si nje erudit i madh. Ka botuar në Amerikë analiza politike, studime historike, skica, tregime dhe përkthime pa fund. Ai ka botuar veprën madhore: “Fjalori Anglisht – Shqip”, “Kënga e Irenës”, novelën “Besa”, dramë e Sami Frashërit dhe në vitin 1969 boton një libër autobjografik, ku mjeshtri i madh rrëfen për udhën drejt emigrimit në vendin e largët, prapa diellit. Nelo Drizari ka qenë drejtuesi i parë i shërbimit shqip tek Zëri i Amerikës. Ka patur fatin e madh që të intervistoj Aleksandër Moisiun gjatë një turneu që ai zhvilloj në Amerikë. Ka bashkupunuar me Faik Konicën dhe Fan Nolin.
Stivi Ujëbordi me shumë pasion filmon, fotografon e merr një gur në livadh sa një topë bore. Gurin e trojeve të Nelo Drizarit do ta vendos në bibliotekën e tij në Çikago. Shtëpitë e dikurëshme ku ka lindur Nelo Drizari megjithëse të restauruara janë mbi ato themele, ku lindi talenti i paparë. Është mes gushti dhe i nxehti ndikon në frymarrjen e turistëve. Detajet për jetën e Nelo Drizarit i jep nipi i tij Shaban Sulaj. Ai na tregon shtigjet me gorrica, rrugicat, lëndinat, arat, ullinjtë shekullor, koriet me përralle dhe koritat ku Zeneli i vogël e çonte tufën e deleve për të pirë ujë në lerat e Drizarit. Nelua i vogël bashkë me të vëllanë vishnin opinga të lopta. Nëna e Nelos me gjilpërë u hiqte gjëmbat që u kishin mbetur në shputat e këmbëve. “Vandaku” i gjëmbave bëhej sa një dorë me shkarpa. Të gjitha këto gjeniu i ardhshëm do t’i qëndiste me lot në sy në librin e tij autobjogarfik.
Turistët që vijnë dhe vizitojnë shtëpinë ku ka lindur Nelo Drizari i kërkojnë pushteit vendor që kjo banesë të kthehet në muze. Vlerat e Nelo Drizarit janë po aq të mëdha sa ato të mikut të tij Faik Konicës.