Shpendi Topollaj
Pasi e lexova me një kënaqësi të madhe deri në mahnitje librin e Ismail Kadaresë “Kur sunduesit grinden”, e kuptova se sa e drejtë ishte vendosja në kopertinë e portretit sa të thjeshtë aq dhe të domethënës e perëndisë së lashtë romake, mbretit të Laciumit, Janusit, i cili me atë dyfytyrësinë e tij, metaforikisht njihet si njeriu hipokrit ose njeriu me dy faqe. Ky Janusi mitologjik kishte bërë edhe plot të mira, por e kishte një të metë; po ta mërzisnin me britma e grindje, nxehej aq shumë sa mund t`u dërgonte njerëzve një vit të keq. Por vetëm kaq ama. Kurse udhëheqësit komunistë dhe në rastin konkret shtrigani gjeorgjian Josif Stalin që i njihej mirë e ëma, qejflesha Ekaterina Galadze, por kurrsesi i jati, aq sa gojët e liga endeshin nga eksploratori Prezhevalski e deri tek ai që kishte më shumë të ngjarë, tregtari Jakob (Koba) Egnatashvili, jo vetëm zemëroheshin pa asnjë shkak, por sillnin fatkeqsi tragjike për vite dhe dekada të tëra.
Dhe që rrufetë e tyre të shenjonin lehtësisht e pa mëshirë mbi këdo, ata për herë, për të mos thënë qysh në krye të herës, kujdeseshin të godisnin intelektualët dhe sidomos poetët dhe shkrimtarët që kishin fuqinë e fjalës e të mendimit, ata pra që me këtë fuqi mund të bëheshin edhe pa e shkuar ndërmend, edhe vetë sundimtarë, por natyrisht të një lloji tjetër: sundimtarë shpirtërorë. Dhe jo vetëm të tillë, por edhe rivalë. Kuptohet që Koba, si shefi suprem i komunistëve të botës, ishte jo vetëm ideatori, por edhe zbatuesi i kësaj strategjie inkuizitive. Të tjerët, dhe sidomos nxënësi i tij besnik në Shqipërinë e vogël, Enver Hoxha, e kopjuan atë fije për pe në taktikat e tyre gjatë kësaj lufte të pandershme. Dyfytyrësia e tyre shihej qartazi te heqja si miq e përkrahës të artit dhe kulturës, dhe nga ana tjetër te anatemimi, ndëshkimi dhe frikësimi i përfaqsuesve kryesorë të tyre dhe nënshtrimi deri në servilizëm i të tjerëve.
Ismaili, duke u marrë me një bisedë tri minutëshe të diktatorit të Kremlinit me Boris Pasternakun, atë që qysh në vitin 1922 ishte bërë mjaft i dëgjuar me vëllimin “Motra ime jetë” dhe me fatkeqin antikonformist Osip Mandelshtam, i cili në vitin 1933 kishte shkruar një satirë kundër Stalinit, ç`ka bëri që të vuaj internimet dhe të mbetet pa varr, me dashje pa dashje, ka përshkruar atë që ka përjetuar vetë. Duke analizuar ato tri minuta, në të trembëdhjetë versionet e saj, ku çdo njëri sa duket i besueshëm, aq dhe është i pabesueshëm, Kadareja, jo vetëm të mban të ngërthyer, në ato njëqindeshtatëdhjetë faqe, por dhe na jep nënkuptueshëm variantin e katërmbëdhjetë: atë më të besueshmin; se ku mund të të shpjerë talenti dhe mendja e ndritur e shkrimtarit gjenial. Ndofta me ose pa ligësi, shpesh Ismailin, sa ishte gjallë, ndokush kërkonte ta identifikojë si të ftohtë në raport me të tjerët. Por unë do të thosha se në tërë historinë e letërsisë shqipe, vështirë të gjesh një “të ngrohtë”, i cili ta ketë njohur kaq imtësisht jetën në tërë shtrirjen e saj, deri tek ajo më e vështira, karakteret njerëzore. Sa bukur dhe bindshëm ka ditur ai të heqë paralele, midis asaj që ka ndodhur atje në ish B.S. dhe vendit tonë.
Me çfarë dashamirësie dhe vërtetësie flet ai për sojin e shkrimtarëve. Po çfarë kulture të pashtershme ka ajo pena e tij. Çfarë kujtese! Dhe e gjithë kjo merr shkas nga një pyetje e vetme. Pas paralajmërimit të sekretarit, gjeneral Poskrebishevit: “Tani do të flasë me ju shoku Stalin”, vijojnë fjalët e zotit të Kremlinit, Janusit me dy fytyra: “Pak kohë më parë është arrestuar poeti Mandelshtam. Ç`mund të na thoni për të shoku Pasternak?” Ç`të thoshte i ziu poet i kapur në befasi. Këtu fillon dhe këtu mbaron kjo mesele. Pasternaku (ai nobelisti i vitit 1958 pa medalje), nuk di ç`të thotë, veçse: “ Ne jemi të ndryshëm”. Po si mund të ishin të ndryshëm poetët. Ata, thotë autori, ishin fis. Dhe kjo s`ndryshohej dot…Rrjedhimisht, Pasternaku për Kadarenë a Mandelshtami për Pasternakun i bënte të pashmangshëm demoni i farefisnisë së artit. Dhe kushërinjtë nuk ishin ashtu si i thoshte gjyshja Ismailit dikur, se ata i caktonte Zoti. Ismailit fëmi i “dukej e padrejtë që ishim të detyruar të kishim kushërirë hallën e shtrembër Bakushe, e jo, për shembull, Laura Mezinin, gjimnazisten e bukur, që tundej aq këndshëm kur ecte.” Dhe në të gjithë librin, tisi i lehtë i një ironie të hollë, shpesh dhe argëtuese, nuk mungon. Dhe është pikërisht kjo mjeshtëri që e largon këtë libër nga publicistika ose nga romani policor, për të mos thënë dhe nga analiza kritike, dhe e afron mrekullisht me letërsinë artistike.
Mjaft të kujtoj vetëm nxitjen për shkruarje e këtij libri e cila në dukje mund të përmblidhej me dy a tri fletë. Kurse Ismail Kadareja, me ato përshkrime mjaft interesante, me alternimin e fantazisë me realitetin, me përshkrimet e imta edhe të personazheve dytësorë, arrin të të magjepsë, të të bëjë të qeshësh, por edhe të kujtosh. Përsa i takon personazheve kryesore, Ismaili edhe pse ka shumë për të thënë për ta, as që i zë me gojë veprat dhe vlerat e tyre. Ai nuk evidenton vlerësimin që i bën, fjala vjen Anna Ahmatova, personazh i këtij libri, Pasternakut: “Natyra gjithë jetën ishte e vetmja Muzë e tij me të drejta të plota, bashkëbiseduesja e fshehtë e tij, e fejuara dhe nusja e tij, gruaja dhe e veja e tij…” Më vinë ndërmend poezitë e tij “Vjeshtë”, “Natë dimri”, “Nata e bardhë”, “Mars” etj. ku ai i këndon me aq dashuri natyrës dhe thua: po me këtë ç`patën? Ç`e keqe i vinte socializmit nga vjershat e tij? Po ashtu, Kadareja nuk merret me atë që nobelisti tjetër rus J. Brodskij e quan Mandelshtamin “fanar intelektual”. Ai as nuk kërkon të na prekë duke kujtuar se atje në varrezën e Starokuncit është një varr simbolik në pllakën e të cilit shkruhet: “Kujtimit të ndritur të Osip Emiljeviç Mandelshtamit”. Për më tepër, ai asqë ndalet te ndonjë krijim i guximshëm i tij si p.sh.: “Pasi ma morët detin, vrapin, fluturimin / Dhe tokën me gjëmë ma mbytët vaj e lotë / Ku dolët, ç`fituat? i qartë përfundimi; / Mërmërimën e buzëve s`ma hiqni dot.” Po ç`mund të prisje nga një monstër si J. Stalini, hajdut e vagabond i viteve të rinisë, i rrahur me vaj e me uthull me burgjet për paudhësitë e tij. E lexon këtë libër të mrekullueshëm dhe jo vetëm kënaqesh estetikisht, por dhe përfytyron se nga kaloi aq gabimisht rruga jonë.
Si u luftuan mendjet e ndritura, te të cilët duhej mbështetur e ardhmja e një populli. Ata ishin pasuri e madhe, por Janusët që romakët besonin se shihnin sa mbrapa – para, ngulnin këmbë të na detyronin të ecnim nga rruga e tyre e Ferrit. E lexon këtë libër dhe pyet veten në do ndodhë të përkthehet nga një dorë besnike dhe e stërvitur. Dhe a do dalë dikush që të shkojë në Suedi tek ai komisioni që ndan atë çmimin e famshëm dhe duke ua hedhur në tavolinë, t`u thotë: Lexojeni o u plaçin sytë, se mjaft e shkelët testamentin e Alfred Bernhard Nobelit me padrejtësinë që i bëni ndër vite, jo vetëm Ismail Kadaresë, që tani nuk është fizikisht mes nesh, por gjithë popullit shqiptar.