Dikur bastion konservator, Los Anxhelosi tani është nën pushtim ushtarak. Qytetet liberale janë kthyer në objektiva për politikanët që duan të nxisin elektoratin diku tjetër.
Andy Beckett
Nga Los Anxhelosi në Londër, nga Stambolli në Varshavë, qytetet po i acarojnë populistët e djathtë. Elitat e tyre liberale, emigrantët, politikat për neutralitet klimatik, aktivistët e majtë, bizneset e globalizuara, infrastruktura e kushtueshme e transportit dhe krerët bashkiakë që flasin pa doreza – të gjitha këto janë provokime për politikanët populistë, mbështetja e të cilëve vjen shpesh nga vende më konservatore dhe më pak të privilegjuara.
Tre vite më parë, themeluesit e konservatorizmit kombëtar – ideologjia transatlantike mbi të cilën mbështetet një pjesë e madhe e populizmit të djathtë modern – publikuan një deklaratë parimesh. Një prej tyre, thuajse e papërfillur në atë kohë, shprehej me kërcënim: “Në ato [vende] ku ligji dhe drejtësia janë korruptuar dukshëm, ose ku sundojnë paligjshmëria, imoraliteti dhe rrënimi, qeveria kombëtare duhet të ndërhyjë me forcë për të rikthyer rendin.”
Këtë muaj, administrata e Donald Trump identifikoi qytetin e parë amerikan – dhe me shumë gjasë jo të fundit – që i përmbush këto kritere të errëta: “Los Anxhelosi është pushtuar nga emigrantët e paligjshëm”, deklaroi ai. Ishte një “qytet kriminelësh” dhe “socialistësh”, sipas sekretares së tij për Sigurinë Kombëtare, Kristi Noem. Dhuna e turmave po e pengonte punën e qeverisë federale atje, sipas zëvendësshefit të stafit, Stephen Miller, dhe kjo ishte një “kryengritje”. Trump premtoi: “Ne do të çlirojmë Los Anxhelosin dhe do ta bëjmë përsëri të lirë, të pastër dhe të sigurt.”
Fakti që kjo “çlirim” përfshin një okupim ushtarak në rritje, ligjërisht të kontestueshëm – thuajse i pashembullt në historinë amerikane – tregon thellësinë e urrejtjes që populistët ndiejnë ndaj qyteteve liberale dhe drejtuesve të tyre. Një tjetër shenjë është burgosja e kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu, rival i presidentit autoritar turk, Rexhep Tajip Erdogan. Një tjetër është niveli i lartë i sigurisë për kryebashkiakun laburist të Londrës, Sadiq Khan – krahasueshëm me atë të Keir Starmerit apo Mbretit Charles.
Kërcënimet për vdekje, fyerjet publike dhe agresioni shtetëror ndaj figurave të tilla në demokraci të supozuara të lira – së bashku me ndërhyrjet më të rafinuara anti-urbane, si ankesat e Nigel Farage në 2014-ën se nuk dëgjonte anglisht në një tren në Londrën e brendshme – zbulojnë shumë për populizmin e djathtë: për ankthin dhe vlerat e tij thelbësore. Qytetet janë vendi ku nis shpesh e ardhmja, ndërsa populizmi është zakonisht përpjekje për të mbajtur të shkuarën gjallë.
Ndërsa populizmi konservator ngre në piedestal shtetin kombëtar, fshatin, komunitetin, familjen tradicionale dhe vijimësinë shoqërore, qytetet janë shpesh vendet e besnikërive më të lëvizshme. Populizmi paraqet politikën si një betejë të thjeshtë mes “popullit” dhe armiqve të tij, ndërsa qytetet – duke bashkuar kaq shumë grupe interesash – tregojnë se politika është shumë më komplekse: përfshin konkurrencë por edhe bashkëpunim, luftë për hapësirë e burime, dhe shumë forca shoqërore – përfshirë klasën, gjininë, seksualitetin, krenarinë lokale dhe racën.
Më shqetësuese akoma për populistët konservatorë është se, në 30 vitet e fundit, shumë qytete të mëdha janë transformuar. Edhe Trump e pranon këtë kur e përshkruan Los Anxhelosin si “dikur të madh”. Siç e ka treguar Mike Davis në historitë e tij novatore për këtë qytet, gjatë shekullit XX Los Anxhelosi, pavarësisht pamjes së qetë, ishte një vend tejet konservator: i ndarë racialisht, me polici represive, i sunduar nga kryetarë bashkish republikanë po aq sa demokratë. Me kalimin e kohës, imigrimi, aktivizmi radikal, administratat më progresive dhe gentrifikimi liberal e kanë shndërruar qytetin në një bastion të qendrës së majtë, pavarësisht pabarazive të shumta.
Një zhvillim i ngjashëm ka ndodhur që nga vitet ’90 në Paris, Londër dhe shumë qytete të tjera europiane e amerikano-veriore. Për të djathtën, humbja e këtyre qendrave të rëndësishme ka qenë një disfatë e hidhur – ndaj edhe këmbëngulja e tyre se janë shkatërruar nga liberalët dhe e majta. Qeverisja qendrore e Khan në Londër, me kompetenca të kufizuara, ka ofruar ushqim falas për nxënësit e ciklit fillor dhe ka përmirësuar cilësinë e ajrit në kryeqytet – megjithatë tabloidet e djathta e portretizojnë vazhdimisht si një eksperiment ideologjik katastrofik.
Këto karikatura janë aq më pak bindëse kur neglizhojnë kompleksitetin politik të qyteteve. 40% e londinezëve votuan për Brexit, dhe shumë emigrantë në qytet janë konservatorë në bindje. Disa nga zonat më “të majta” kanë pasur banorë të njohur të djathtë: Boris Johnson dhe Paul Dacre (ish-kryeredaktor i “Daily Mail”) kanë jetuar në Islington. Dominic Cummings jeton ende aty. Në një dyqan fruta-perimesh turk, mund të shohësh shpesh deputetin konservator Nick Timothy – i cili rishtazi deklaroi në Parlament: “Diversiteti nuk është forca jonë, por një sfidë serioze” – duke pritur radhën në një dyqan që gumëzhin nga gjuhë të ndryshme, përpara se të kthehet në shtëpinë e tij në Hackney, një zonë edhe më e larmishme etnikisht.
Për të gjitha aspektet e jetës urbane që i irritojnë konservatorët, ka edhe elementë që duhet t’i kënaqin: përqendrimi te puna, fryma sipërmarrëse, pesha e madhe e pronës dhe hierarkitë e pafundme. Këto ndasi mund t’i shtyjnë qytetet të kthehen djathtas. Në vitet ’80, pjesa më e madhe e Londrës kishte deputetë konservatorë. Paris kishte një kryetar bashkie konservator – Jacques Chirac – nga 1977 deri më 1995.
Por një kthim drejt konservatorizmit urban duket gjithnjë e më i pamundur me të djathtën në modalitet populist. Siç theksoi kohët e fundit revista The Economist – që zakonisht nuk është aleate e së majtës bashkiake – qeverisja urbane kërkon “politikanë pragmatistë që mbajnë rrugët pa gropa … dhe autobusat në orar.” Politikat kaotike, të përgjithshme të Trump, Farage apo Badenoch nuk i përshtaten kësaj.
Ndoshta për populistët kjo nuk ka rëndësi. Ata mund të vazhdojnë të sulmojnë qytetet për të ndezur votuesit diku tjetër – pa qenë nevoja t’i qeverisin realisht. Ndërkohë, politikanët liberalë dhe të majtë lokalë vazhdojnë të mbajnë gjallë qendrat kryesore të ekonomisë dhe turizmit, duke i lënë liderëve populistë si Trump dorë të lirë të promovojnë politika jopraktike. Ai mund ta urrejë Kaliforninë dhe Los Anxhelosin modern, por ekonomia e shtetit së fundmi ia kaloi Japonisë, duke u renditur e katërta në botë – gjë e dobishme për një president me një plan ekonomik të ngecur.
Por qëndresa urbane ndaj populizmit të djathtë nuk duhet parë si një reagim i kotë, siç e kanë quajtur disa pesimistë gjatë protestave në LA. Qoftë në rrugë apo nga një zyrë madhështore bashkie, sfidimi i populistëve intolerantë e reaksionarë ka vlerë – si një akt më vete dhe si frymëzim për të tjerët. Jeta në qytet mund të jetë e vështirë dhe zhgënjyese. Por një nga virtytet e saj është se, ndonëse tendencat ndryshojnë shpejt, kryengritjet rrallë harrohen.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi