Grupi i hakerave iranianë të “Homeland Justice” është rikthyer sërish në vendin tonë. Faqja e parë e cila ra “pre” e tyre, ka qenë Bashkia e Tiranës, e cila prej paradites të së premtes vijon të jetë e paaksesueshme.
Hakerat iraniane arritën që të futen në sistemet kompjuterike të këtij institucioni duke marrë në duart e tyre faqen zyrtare si dhe kodet e serverëve.
Si rrjedhojë vetë Bashkia e Tiranës u detyrua të dalë me një njoftim zyrtar ku dhe njoftoi se si pasojë e këtij hakerimi do t’iu duhej të pezullonin regjistrimin e fëmijëve në kopshte dhe çerdhe pasi ky proces realizohej online vetëm te faqja e institucionit.
Kjo ndërhyrje në faqen e një prej institucioneve më të rëndësishme në vendin tonë, sipas grupit të hakerave iranianë erdhi për faktin se vendi ynë sipas tyre mbështet “terroristët e MEK”.
“Bashkia e dashur e Tiranës është e jona tani! Gjithë ky korrupsion i frikshëm për një bashki të thjeshtë?! E pabesueshme! Ja çfarë ndodh kur pjesa më e madhe e buxhetit tuaj i dedikohet mirëqenies së terroristëve të MEK-ut”, shkruanin ata ditën e djeshme.
Ndërkohë, së fundmi një tjetër paralajmërim ka ardhur nga “Homeland Justice” për autoritetet shqiptare duke i bërë thirrje që të marrin masa urgjente për të dëbuar pjesëtarët e MEK nga territori shqiptar.
“Populli i pafajshëm i Shqipërisë është në rrezik serioz. A do të kenë politikanët shqiptarë një arsye bindëse për të justifikuar praninë e këtij rreziku të madh për popullin dhe brezat e ardhshëm. Pse duhet të pranojmë spiunë dhe terroristë që nuk kanë sjellë gjë tjetër veçse fatkeqësi dhe mjerim? Dëboni këta terroristë para se të jetë shumë vonë. Koha është jashtëzakonisht e kufizuar, vlerësoni minutat dhe sekondat!”, thuhet në deklaratë. m.p.