Nga Ina Allkanjari
Kurba e të infektuarve në vend nga Covid-19 vazhdon të pësojë ulje, duke pasur çdo ditë e më pak të prekur. Gjatë 24 orëve të fundit nga 140 testime te kryera ne Shqipëri, vetëm 8 raste janë konfirmuar pozitive, përkatësisht në Tiranë 5 raste, në Elbasan 2 raste dhe në Durrës 1 rast. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kjo është java me nivelin më të ulët të rasteve pozitive që nga fillimi i epidemisë.
Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 803 qytetarë dhe aktualisht 68 % e tyre janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 229 persona aktivë me COVID-19. Shefja e Epidemiologjisë, Eugena Tomini, sqaroi situatën e deritanishme epidemiologjike për Shqipërinë.
“Pjesa më e madhe e të prekurve po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” gjendja paraqitet e qëndrueshme. Aktualisht janë të shtruar 34 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive. Siç jeni ne dijeni, nga sot (dje), ka nisur një lehtësim i mëtejshem i masave shtrënguese, me shtimin e zonave të gjelbërta, lejimin e shërbimit taksi ndërqytetas me dy pasagjerë të së njëjtës familje si dhe lehtësimi për të riatdhesuarit që janë me banim në zonat e kuqe, të cilët do të vetëkarantinohen në banesë.Duke nisur nga ky lehtësim i masave është shumë e rëndësishme të rritet kujdesi vetjak, të respektohen rregullat e reja, ndaj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, po ashtu bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë”, tha Tomini.
Kujtojmë se zonat me më shumë raste aktive deri më tani janë Tirana dhe Kruja. Tirana është vatra më aktive e të prekurve me koronavirus në Shqipëri, me 91 raste, për t’u ndjekur nga Kruja, Shkodra, Kurbini.
Fatmirësisht, prej disa ditësh vendi ynë vijon të mbetet në shifra të qëndrueshme të të prekurve dhe numri i të shëruarve është në rritje.
Deri më tani betejën me këtë virus në Shqipëri e kanë humbur 31 pacientë.