Rreth 40 persona vijojnë të qëndrojnë mes tokës greke dhe asaj shqiptare pasi nuk lejohen të hyjnë në Shqipëri për shkak të masave që ka marrë qeveria ndaj koronavirusit duke mos pranuar shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Emigrantët shqiptarë të cilët kanë mbërritur në kufi janë burra, gra dhe të moshuar. Ata qëndrojnë në Kapshticë në mes të ftohtit ku mendohet se do ta kalojnë edhe natën aty, siç duket edhe nga videoja.
Emigrantët i kanë bërë thirrje kryeministrit Rama për t’i lejuar që të hyjnë në Shqipëri për t’u rikthyer te familjet e tyre, por kreu i qeverisë ka refuzuar në mënyrë të prerë, pasi sipas tij ata përbëjnë një bombë me sahat që mund të përhapin koronavirusin duke qenë se kanë pasur kontakte të ndryshme jashtë vendit.