Komuniteti ndërkombëtar e ka kritikuar ashpër politikën e anëtarit serb të presidencës boshnjake, Milorad Dodik që paralajmëroi një ndarje të Republikës Srpska.
Sipas gazetës boshnjake klix.ba, deklaratat e fundit të diplomatëve të huaj dhe personave përgjegjës të institucioneve ndërkombëtare financiare, thonë se veç të tjerash, një nismë e tillë bart në vetvete dhe rrezikun e falimentimit.
I dërguari i posacëm i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, foli në mbylljen e vizitës së tij në Sarajevë për sanksione ndaj disa zyrtarëve nëse kokëfortësia e Dodikut vazhdon.
“Kemi diskutuar masa të forta, dhe sanksionet janë në tavolinë. E jo vetëm sanksione, por edhe mekanizma të tjerë ekonomikë që mund të implementohen kundër zyrtarëve që angazhohen në aktivitete kundër marrëveshjes së Dejtonit dhe të gjithë atyre që i përkrahin ose kompanitë që i ndihmojnë”, tha Escobar.
Alina Iancu, drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Bosnje e Hercegovinën, tha se politikat seperatiste të shpallura nga autoritetet kanë rrezikuar stabilitetin ekonomik dhe financiar të vendin, dhe nëse këto trende nuk ndalen, pasojat do të jenë të mëdha për shtetin dhe entitetet e tij.